Të udhëhequr nga Fryma e Tij
- Sarah Henke
- 12 de abr.
- 3 min de leitura
33 vjet besimi në Shqipëri
Pas disa ditësh të ftohta dhe me re, e shtuna e 12 prillit agoi e ndritshme dhe me diell në qytetin e Tiranës, në Shqipëri. Anëtarë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën me buzëqeshje të gjera dhe përqafime të ngrohta, në pritje të ditës së festimit. Pavarësisht nëse kishin udhëtuar deri në katër orë ose vinin nga afër, të gjithë arritën me një qëllim: të falënderojnë Zotin për 33 vitet e Kishës Adventiste në Shqipëri. Kjo nuk ishte thjesht një mbledhje, ishte Festivali i Besimit. Kjo traditë vjetore bashkon anëtarët nga të gjitha kishat lokale për të adhuruar Zotin dhe për të festuar udhëheqjen e Tij në Shqipëri.
Thirrje për zgjim dhe mision
Me temën “Eja, o Frymë e Shenjtë”, festivali i këtij viti ofroi një thirrje për mision dhe një ftesë për zgjim shpirtëror. Gjatë programit, u lançua zyrtarisht libri Hapat Drejt Rizgjimit Shpirtëror. Botuar nga Departamenti i Shërbesave të Botimeve të Misionit Shqiptar, libri i është kushtuar tërësisht veprës së Frymës të Shenjtë. “Besoj se kushdo që e studion këtë libër me kujdes, duke reflektuar thellë mbi tekstet biblike dhe mesazhet, do të përjetojë një zgjim të vërtetë,” komentoi pastori Gentian Thomollari, drejtor i botimeve. “Shpresa ime është të shoh anëtarët tanë të mbushur me pasion dhe Shpirtin e Shenjtë. Ne kemi nevojë për Shpirtin e Shenjtë!”

Rrënjë të thella
Për shumë veta, ky aktivitet ofroi gjithashtu një mundësi për t'u lidhur me rrënjët dhe trashëgiminë e tyre shpirtërore. Adventizmi mbërriti në Shqipëri gjatë regjimit komunist, kur në vitet 1930, Daniel Lewis, një farmacist shqiptar i diplomuar në Harvard, u kthye në atdheun e tij me një qëllim të vetëm: të ndante me të tjerët besimin e tij. Edhe pse nën mbikëqyrje dhe shtypje, ai filloi fshehurazi një grup studimi biblik. Ndër pjesëmarrësit e parë ishte Meropi Gjika, e cila ruajti me besnikëri dhjetën për më shumë se 40 vjet, duke pritur ditën kur mund të pagëzohej. Ajo ditë erdhi më 18 prill 1992, duke shënuar fillimin zyrtar të Kishës Adventiste të Shtatë Ditëve në Shqipëri. Bashkë me Meropin ishte edhe Violeta Mita, gjithashtu një nga të parat që u pagëzua.

Tre dekada më vonë, Mita qëndroi në Festivalin e Besimit si një dëshmitare e gjallë e besnikërisë së Perëndisë. “Ndihem e lumtur dhe e rinovuar që jam sot në kishën time. E kujtoj pagëzimin tim me shumë nostalgji; rashë në krahët e Jezusit. Sa e bukur ishte!”, kujtoi ajo. Duke reflektuar mbi udhëtimin e saj të besimit, ajo shtoi: “Kisha nevojë për një vend ku të mbështetesha, sepse ka kaq shumë sfida njerëzore në këtë tokë. Dhe kam gjetur, dhe vërtetuar, që prania e Jezusit dhe e Shpirtit të Shenjtë më ka dhënë forcë t’i përballoj të gjitha.”
Unitet dhe lavdërim
Pastori Zlatko Musija, president i Konferencës së Unionit Adriatik, mbajti mesazhin kryesor të ditës, duke inkurajuar njerëzit të varen plotësisht nga Shpirti i Shenjtë. Duke komentuar mbi frymën e gëzimit dhe unitetit të përjetuar gjatë ngjarjes, ai tha: “Gjithmonë më pëlqen të jem me familjen e kishës në Shqipëri… Është thelbësore që çdo kishë lokale të përjetojë momente si këto, ku mund të lavdërojmë Zotin së bashku, të reflektojmë mbi tema të rëndësishme dhe të marrim vendime si familje.”
Flaka e misionit
Ndërsa dielli perëndonte mbi Tiranë, anëtarët u nisën drejt shtëpive të tyre, duke mbartur në zemrat e tyre flakën e misionit. “Festivali i Besimit ishte më shumë se një përkujtim. Ishte një shprehje mirënjohjeje për mirësinë e Zotit, një akt i përbashkët dhe i sinqertë adhurimi,” komentoi Delmar Reis, president i Misionit Shqiptar dhe organizator i aktivitetit. “Na u kujtua e kaluara, se si Zoti na ka udhëhequr gjatë viteve. Por u frymëzuam gjithashtu të shohim përpara. Ne ende kemi një mision: të vazhdojmë veprën e nisur në të kaluarën, derisa të kthehet Jezusi,” përfundoi ai.
Përkthyer: Vefiola Shaka
Fotot: Kortezi e Misionit Shqiptar
Foto kryesore: Anëtarë në Festivalin e Besimit
Teksti origjinal i postuar në: https://ted.adventist.org/news/guided-by-his-spirit/
Comments