Tre persona i bashkohen Kishës Adventiste në Shqipëri
U deshën disa muaj, dhe në një rast vite, lutjeje, studimi të Biblës dhe marrëdhëniesh mbështetëse për të marr vendimin.
Tre anëtarë të Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë Tirana Lindje, kanë bërë së fundmi publik vendimin për të ndjekur Jezusin, duke shënuar një periudhë feste për komunitetin adventist në Shqipëri. Dy pagëzime u zhvilluan më 14 shtator në ujërat e liqenit të Ohrit, ndërsa një deklaratë publike besimi u bë më 6 shtator. Megjithëse rrugëtimet e tyre shpirtërore janë të ndryshme, secila histori dëshmon për fuqinë e Fjalës së Perëndisë dhe ndikimin e shërbesës personale në transformimin e jetëve.
Kliti Gramozi pohon besimin pas një rrugëtimi shpirtëror dyvjeçar
Kliti Gramozi, avokat me specializim në psikologji, u lidh për herë të parë me Pastorin Gentian Thomollari, pastor i Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë Tirana Lindje dhe Drejtor i Shërbesave të Botimeve për Misionin Shqiptar(AM), rreth dy vite më parë, kur kërkoi një kopje të librit Konflikti i Madh, shkruar nga Ellen G. White, bashkëthemeluese e Kishës. Libri ngjalli pyetje të tjera dhe ai vazhdoi të lexonte tituj të tjerë që iu dhanë, përfshirë Patriarkë dhe Profetë, Shëndet dhe Mirëqenie dhe Zbulime të Mrekullueshme në Tokën e Shenjtë.
Ndërsa studimet e tyre biblike u thelluan, veçanërisht përmes serisë Eksploro Biblën, Gramozi vendosi t’ia përkushtonte jetën e tij Perëndisë. Më 6 shtator, ai bëri një deklaratë publike besimi, duke dëshmuar për mrekullinë e fuqisë së Perëndisë, përfshirë ndihmën për të lënë duhanin. “Perëndia vërtet e përdor Biblën dhe librat tanë për të frymëzuar, për të ndryshuar botëkuptimet dhe për të transformuar jetë për lavdinë e Tij,” thekson Thomollari. “Ky libër preku shpirtin dhe mendjen time. Më tregoi si janë gjërat dhe sa e madhe është dashuria e Perëndisë për ne,” shprehet Gramozi.
Për Gramozin, kapitulli 4 i Ungjillit sipas Gjonit ishte kyç për ta ndihmuar të kuptonte se me cilën kishë ndiente përputhje, dhe ai inkurajon të tjerët ta lexojnë dhe ta reflektojnë mesazhin e tij. I prekur emocionalisht, ai pohon se kjo ishte vendimi më i mirë i jetës së tij. “Më 6 shtator të këtij viti, në Kishën Tirana Lindje, fillova të jetoj jetën time të re,” përfundon ai.
Spiro Ndrio dëshmon besnikëri përmes studimit të Biblës dhe besnikërisë në Të Dhjetat

Spiro Ndrio filloi të frekuentonte Kishën Adventiste të Ditës së Shtatë Tirana Lindje pasi mori një ftesë nga një anëtare e quajtur Flora Agolli. Ai shpejt pranoi ftesën e pastor Gentit për të studiuar Biblën dy herë në javë. Kur studiuan mësimin biblik mbi të dhjetën, ai u përgjigj: “Nuk jam i pasur, por e dua Perëndinë dhe dua të jem besnik.” Pavarësisht se merr një pension të vogël, ai ka qëndruar besnik.
Ndrio u pagëzua më 14 shtator, duke shprehur siguri të thellë dhe mirënjohje. “Jam nën mbrojtjen e Krishtit dhe ndihem shumë i plotësuar,” tha ai.
Eugen Cela merr vendimin pas shtatëmbëdhjetë vitesh kërkimi
Për më shumë se 17 vite, Eugen Cela kishte ndjekur kishën pa u pagëzuar. Ai merrte pjesë në adhurim dhe vlerësonte bashkësinë, por kishte ende pyetje lidhur me disa doktrina, veçanërisht mësimin biblik mbi gjendjen e të vdekurve.
Kur Thomollari vuri re se emri i Celës nuk ishte në listën zyrtare të anëtarësisë, ata filluan të studionin Biblën së bashku, duke u përqendruar në temat që kishin shkaktuar konfuzion. “Studionim katër herë në javë,” tha pastori. “Ishte e mrekullueshme të shihje si rritej kuptimi dhe gëzimi i tij.”
Më 14 shtator, Cela mori vendimin e shumëpritur për t’u pagëzuar, duke u gëzuar për paqen dhe qartësinë e re në besim. Ai ndau sa mirënjohës është që më në fund u pagëzua në Kishën Adventiste. “Tani duhet të rritem në besim dhe lutem gjatë gjithë ditës për t’u rritur në përkushtim dhe për ta zbatuar Biblën në çdo aspekt të jetës sime,” tha ai. “Pas pagëzimit, jeta nuk është një fushë me lule, por një betejë. Vetëm përmes lutjes dhe leximit të Biblës Perëndia do të na japë fitore dhe rritje.”
Përkthyer: Vefiola Shaka
Fotot: Kortezi e Misionit Shqiptar
Teksti origjinal i postuar në: https://ted.adventist.org/news/three-join-the-adventist-church-in-albania/




Comentários