top of page

Besimet Zyrtare të Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë

Adventistët e Ditës së Shtatë e pranojnë Biblën si besimin e tyre të vetëm dhe mbajnë disa besime themelore si mësimet e Shkrimeve të Shenjta. Këto besime themelore, të parashtruara këtu, përbëjnë mënyrën sesi kisha i interpreton dhe i shpreh mësimet e Biblës. Rishikimi i këtyre besimeve realizohet në mbledhjet e Konferencës së Përgjithshme në ato raste kur kisha, e udhëhequr nga Fryma e Shenjtë, arrin një kuptim më të plotë të së vërtetës Biblike ose kur gjen një mjet më të mirë gjuhësor për të shprehur mësimet e Fjalës së Shenjtë të Perëndisë.

1 Shkrimet e Shenjta

Shkrimet e Shenjta, Dhiata e Vjetër dhe e Re janë Fjala e shkruar e Perëndisë, e dhënë me anë të frymëzimit hyjnor. Autorët e frymëzuar folën dhe shkruan ndërsa ishin nën ndikimin e Frymës së Shenjtë. Nëpërmjet Fjalës, Zoti i ka besuar njerëzimit njohurinë e nevojshme për shpëtim. Shkrimet e Shenjta janë zbulesa supreme, autoritare dhe e pagabueshme e vullnetit të Tij. Ato janë standardi i karakterit, testi i përvojës, zbulesa përfundimtare e doktrinave dhe regjistrimi i besueshëm i veprave të Perëndisë në histori (Ps. 119:105; Prov. 30:5-6; Isa. 8:20; Gjoni 17:17; 1 Thesalonikasve 2:13; 2 Tim. 3:16-17; Hebr. 4:12; 2 Pjetrit. 1:20-21.).

3 Ati

Perëndia, Ati i përjetshëm është Krijuesi, Burimi, Mbështetësi dhe Sovrani i gjithë krijimit. Ai është i drejtë dhe i shenjtë, i mëshirshëm dhe hirplotë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot me dashuri dhe me besnikëri të patundur. Cilësitë dhe fuqitë e shfaqura nëpërmjet Birit dhe Frymës së Shenjtë, janë të njejtat cilësi me ato të Atit. (Zan. 1:1; Ligji i Përtërirë 4:35; Ps. 110:1, 4; Gjoni 3:16; 14:9; 1 Kor. 15:28; 1 Tim. 1:17; 1 Gjon. 4:8; Zbul. 4:11).

2 Triniteti

Ekziston një Zot: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, një unitet i tre Personave të bashkë- përjetshëm. Zoti është i pavdekshëm, i plotëfuqishëm, i gjithëdijshëm, mbi çdo gjë dhe gjithmonë i pranishëm. Ai është i pafund dhe përtej të kuptuarit njerëzor, por e ka bërë Veten e njohur nëpërmjet vetë-zbulimit të Tij. Perëndia, i cili është dashuri, është përgjithmonë i denjë për adhurim, admirim dhe shërbim nga i gjithë krijimi (Zan. 1:26; Ligji i Përtërirë 6:4; Isa. 6:8; Mat. 28:19; Gjoni 3:16; 2 Kor. 1:21-22; 13:14; Efesianëve 4:4-6; 1 Pjetrit 1:2).

4 Biri

Perëndia Bir i përjetshëm u mishërua në Jezus Krishtin. Nëpërmjet Tij u krijuan të gjitha gjërat, nëpërmjet Tij zbulohet karakteri i Perëndisë, realizohet shpëtimi i njerëzimit dhe gjykohet bota. Ai gjithmonë ka qënë me të vërtetë Perëndi, dhe u bë me të vërtetë njeri, Jezus Krishti. Perëndia Bir u ngjiz nga Fryma e Shenjtë dhe u lind prej Virgjëreshës Mari. Edhe pse jetoi dhe përjetoi tundimin si një qenie njerëzore, Jezus Krishti ilustroi në mënyrë të përsosur drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Me anë të mrekullive të Tij, Ai shfaqi fuqinë e Perëndisë dhe u dëshmua si Mesia i premtuar i Perëndisë. Ai vuajti dhe vdiq vullnetarisht në kryq për mëkatet tona dhe në vendin tonë, u ringjall prej së vdekurish dhe u ngjit në qiell për të shërbyer në shenjtëroren qiellore për ne. Ai do të vijë përsëri në lavdi për çlirimin përfundimtar të popullit të Tij dhe rivendosjen e të gjitha gjërave. (Isa. 53:4-6; Dan. 9:25-27; Luka 1:35; Gjoni 1:1-3, 14; 5:22; 10:30; 14:1-3, 9, 13; Rom 6:23; 1 Kor. 15:3-4; 2 Kor. 3:18; 5:17-19; Fil. 2:5-11; Kol. 1:15-19; Hebr. 2:9-18 ; 8:1, 2).

5 Fryma e Shenjtë

Zoti Frymë i përjetshëm ishte aktiv me Atin dhe Birin në Krijim, mishërim dhe shpengim. Ashtu si Ati dhe Biri, edhe Fryma e Shenjtë është një person. Ai frymëzoi shkrimtarët e Biblës. Ai e mbushi jetën e Krishtit me fuqi. Ai ndikon dhe bind qeniet njerëzore, dhe kur ata që i përgjigjen, Ai i përtërin dhe i shndërron në imazhin e Perëndisë. I dërguar nga Ati dhe Biri për të qenë gjithmonë me fëmijët e Tij, Ai i jep dhuratat shpirtërore kishës, e fuqizon atë për të dëshmuar për Krishtin dhe në harmoni me Shkrimet, e drejton atë drejt gjithë të vërtetës. (Zan. 1:1-2; 2 Sam. 23:2; Psal. 51:11; Isa. 61:1; Luka 1:35; 4:18; Gjoni 14:16-18, 26; 15:26; 16:7-13; Veprat 1:8; 5:3; 10:38; Rom. 5:5; 1 Kor. 12:7-11; 2 Kor. 3:18; 2 Pjetrit 1:21).

6 Krijimi

Perëndia ka zbuluar në Shkrim rrëfimin autentik dhe historik të veprimtarisë së Tij krijuese. Ai krijoi universin tekstualisht për gjashtë ditë, gjatë së cilave krijoi "qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to" dhe pushoi gjatë ditës së shtatë. Kështu, Perëndia e krijoi Shabatin si një përkujtim të përhershëm të punës që kreu dhe përfundoi, tekstualisht gjatë gjashtë ditëve, që së bashku me Shabatin përbënin atë njësi kohore që ne, në ditët e sotme, e quajmë një javë. Burri dhe gruaja e parë, të cilët u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë si vepra kurorëzuese e Krijimit, iu dha sundimi mbi botën dhe u ngarkuan me përgjegjësinë për t'u kujdesur për të. Kur krijimi i botës pwrfundoi ajo ishte "shumë mirë” dhe shpallte lavdinë e Perëndisë. (Zan. 1-2; 5; 11; Eksodi 20:8-11; Ps. 19:1-6; 33:6, 9; 104; Isa. 45:12, 18; Veprat 17:24; Kol. 1:16; Hebr. 1:2; 11:3; Zbul. 10:6; 14:7).

7 Natyra e njerëzimit

Burri dhe gruaja u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Zotit me individualitet, fuqi dhe liri për të menduar dhe për të vepruar. Megjithëse janë krijuar si qënie të lira, çdo njeri përbën një unitet të pandashëm të trupit, mendjes dhe shpirtit, dhe varet nga Zoti për jetën, frymën dhe gjithçka tjetër. Kur prindërit tanë të parë nuk iu bindën Perëndisë, ata mohuan varësinë e tyre ndaj Tij dhe ranë nga pozita e tyre e lartë. Imazhi i Zotit në ta u deformua dhe u bënë pre e vdekjes. Pasardhësit e tyre trashëgojnë të njëjtën natyrë mëkatare dhe pasojat e saj. Ata lindin me dobësi dhe prirje për të bërë të keqen. Por Perëndia në Krishtin e pajtoi botën me veten e Tij dhe me anë të Frymës së Tij Ai rikthen te njerëzit e penduar imazhin e Krijuesit të tyre. Të krijuar për lavdinë e Perëndisë, ata janë thirrur ta duan Atë dhe njëri-tjetrin dhe të kujdesen për mjedisin e tyre. (Zan. 1:26-28; 2:7, 15; 3; Ps. 8:4-8; 51:5, 10; 58:3; Jer. 17:9; Veprat 17:24-28; Rom. 5:12-17; 2 Kor. 5:19-20; Efes. 2:3; 1 Thes. 5:23; 1 Gjonit 3:4; 4:7, 8, 11, 20.)

8 Beteja e madhe

I gjithë njerëzimi është përfshirë tani në një Betejë të madhe midis Krishtit dhe Satanit në lidhje me karakterin e Perëndisë, ligjin dhe sovranitetin e Tij mbi universin. Ky konflikt filloi në parajsë kur një qenie e krijuar, e pajisur me lirinë e zgjedhjes, në lartësimin e vetvetes u bë Satan, kundërshtari i Perëndisë dhe çoi në rebelim një pjesë të engjëjve. Ai futi frymën e rebelimit në këtë botë kur udhëhoqi Adamin dhe Evën në mëkat. Ky mëkat njerëzor rezultoi në shtrembërimin e imazhit të Perëndisë tek njerëzimi, çrregullimin e botës së krijuar dhe shkatërrimin e saj përfundimtar në kohën e përmbytjes globale, siç paraqitet në tregimin historik të Zanafillës 1-11. E vëzhguar nga i gjithë krijimi, kjo botë u bë arena e konfliktit universal, nga i cili Zoti i dashurisë do të shfajësohet në fund. Për të ndihmuar popullin e Tij në këtë Betejë, Krishti dërgon Frymën e Shenjtë dhe engjëjt besnikë për t'i udhëhequr, mbrojtur dhe mbështetur në rrugën e shpëtimit. (Zan. 3; 6-8; Jobi 1:6-12; Isa. 14:12-14; Ezek. 28:12-18; Rom. 1:19-32; 3:4; 5:12-21; 8:19-22; 1 Kor. 4:9; Hebr. 1:14; 1 Pjetrit 5:8; 2 Pjetrit 3:6; Zbulesa 12:4-9).

9 Jeta, Vdekja dhe Ringjallja e Krishtit

Në jetën e Krishtit, një jete bindjeje e përsosur ndaj vullnetit të Perëndisë, vuajtjes, vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Perëndia siguroi mjetin e vetëm të shlyerjes për mëkatin njerëzor, në mënyrë që ata që me besim e pranojnë këtë shlyerje të kenë jetën e përjetshme dhe i gjithë krijimi të kuptojë më mirë dashurinë e pafundme dhe të shenjtë të Krijuesit. Kjo shlyerje e përsosur shfajëson drejtësinë e ligjit të Perëndisë dhe mirësinë e karakterit të Tij sepse ai dënon mëkatin tonë dhe siguron faljen tonë. Vdekja e Krishtit është zëvendësuese dhe shlyese, pajtuese dhe transformuese. Ringjallja trupore e Krishtit shpall triumfin e Perëndisë mbi forcat e së keqes dhe për ata që pranojnë shlyerjen siguron fitoren përfundimtare mbi mëkatin dhe vdekjen. Ai shpall sundimin e Jezus Krishtit, para të cilit do të përkulet çdo gju në qiell dhe në tokë. (Zan. 3:15; Ps. 22:1; Isa. 53; Gjoni 3:16; 14:30; Rom. 1:4; 3:25; 4:25; 8:3-4; 1 Kor. 15:3-4, 20-22; 2 Kor. 5:14-15, 19-21; Fil. 2:6-11; Kol. 2:15; 1 Pjetrit 2:21-22; 1 Gjonit 2:2; 4:10).

10 Përvoja e Shpëtimit

Me dashuri dhe mëshirë të pafundme, Zoti bëri që Krishti i cili nuk njihte mëkat të bëhej mëkat për ne, që ne në Të të mund të bëheshim drejtësia e Perëndisë. Të udhëhequr nga Fryma e Shenjtë, ne ndiejmë nevojën që kemi për Zotin, pranojmë mëkatin tonë, pendohemi për shkeljet tona dhe ushtrojmë besim te Jezusi si Shpëtimtar dhe Zot, Zëvendësues dhe Shembull. Ky besim shpëtues vjen nëpërmjet fuqisë hyjnore të Fjalës dhe është dhurata e hirit të Perëndisë. Nëpërmjet Krishtit ne shfajësohemi, birësohemi si bij dhe bija të Perëndisë dhe çlirohemi nga sundimi i mëkatit. Nëpërmjet Frymës ne rilindim dhe shenjtërohemi. Fryma na rinovon mendjen, shkruan ligjin e dashurisë së Perëndisë në zemrat tona dhe na jep fuqi për të jetuar një jetë të shenjtë. Duke qëndruar në Të, ne bëhemi pjesëmarrës të natyrës hyjnore dhe kemi sigurinë e shpëtimit tani dhe në gjykim. (Zan. 3:15; Isa. 45:22; 53; Jer. 31:31-34; Ezek. 33:11; 36:25-27; Hab. 2:4; Marku 9:23, 24; Gjoni 3:3-8, 16; 16:8; Rom. 3:21-26; 8:1-4, 14-17; 5:6-10; 10:17; 12:2; 2 Kor. 5:17- 21; Gal. 1:4; 3:13-14, 26; 4:4-7; Efesianëve 2:4-10; Kol. 1:13, 14; Titit 3:3- 7; Hebr. 8:7 -12; 1 Pjetrit 1:23; 2:21-22; 2 Pjetrit 1:3, 4; Zbulesa 13:8).

11 Rritja në Krishtin

Me anë të vdekjes së Tij në kryq, Jezusi triumfoi mbi forcat e së keqes. Ai që nënshtroi shpirtrat demonikë gjatë shërbesës së Tij tokësore ka thyer fuqinë e tyre dhe ka siguruar dënimin e tyre përfundimtar. Fitorja e Jezusit na jep fitore mbi forcat e liga që ende kërkojnë të na kontrollojnë ndërsa ne ecim me Të në paqe, gëzim dhe siguri për dashurinë e Tij. Tani Fryma e Shenjtë banon brenda nesh dhe na fuqizon. Të përkushtuar vazhdimisht ndaj Jezusit si Shpëtimtari dhe Zoti tonë, ne çlirohemi nga barra e veprave tona të kaluara. Ne nuk jetojmë më në errësirën, frikën nga fuqitë e liga, injorancën dhe pakuptimësinë e mënyrës sonë të mëparshme të jetesës. Në këtë liri të re në Jezusin, ne jemi thirrur të rritemi në ngjashmërinë e karakterit të Tij duke komunikuar me Të çdo ditë në lutje, duke u ushqyer me Fjalën e Tij, duke medituar mbi të dhe për providencën e Tij, duke kënduar lavdërimet e Tij, duke u mbledhur së bashku për adhurim dhe duke marrë pjesë në misionin e Kishës. Ne jemi thirrur gjithashtu të ndjekim shembullin e Krishtit duke u shërbyer me dhembshuri nevojave fizike, mendore, sociale, emocionale dhe shpirtërore të njerëzimit. Ndërsa e japim veten në shërbim me dashuri ndaj atyre që na rrethojnë dhe ndërsa dëshmojmë për shpëtimin e Tij, prania e Tij e vazhdueshme nëpërmjet Frymës së Shenjtë e shndërron çdo moment dhe çdo detyrë në një përvojë shpirtërore. (1 Kron. 29:11; Psal. 1:1-2; 23:4; 77:11-12; Mat. 20:25-28; 25:31-46; Luka 10:17-20; Gjoni 20:21; Rom. 8:38-39; 2 Kor. 3:17, 18; Gal. 5:22-25; Efes. 5:19-20; 6:12-18; Fil. 3:7-14; Kol.1:13-14; 2:6, 14-15; 1 Thesalonikasve 5:16-18, 23; Hebr. 10:25; Jakobit 1:27; 2 Pjetrit 2:9; 3:18; 1 Gjonit 4 :4).

12 Kisha

Kisha është bashkësia e besimtarëve që rrëfejnë Jezus Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar. Në vazhdimësi me popullin e Perëndisë në kohët e Dhiatës së Vjetër, ne jemi thirrur nga bota dhe ne bashkohemi për adhurim, për shoqërim, për udhëzim në Fjalën, për kremtimin e Darkës së Zotit, për shërbimin ndaj njerëzimit dhe për shpalljen mbarëbotërore të ungjillit. Kisha e merr autoritetin e saj nga Krishti, i cili është Fjala e mishëruar e zbuluar në Shkrime. Kisha është familja e Zotit. Të adoptuar nga Ai si fëmijë, anëtarët e kishës jetojnë në bazë të besëlidhjes së re. Kisha është trupi i Krishtit, një bashkësi besimi, kreu i së cilës është Vetë Krishti. Kisha është nusja për të cilën Krishti vdiq që ta shenjtëronte dhe ta pastronte. Në kthimin e Tij në triumf, Ai do t'i paraqesë Vetes një kishë të lavdishme, besnikëve të të gjitha kohërave, blerjen e gjakut të Tij, pa njolla apo rrudha, por të shenjtë dhe pa të meta. (Zan. 12:1-3; Eksodi 19:3-7; Mat. 16:13-20; 18:18; 28:19-20; Veprat 2:38-42; 7:38; 1 Kor. 1:2; Efes. 1:22- 23; 2:19-22; 3:8-11; 5:23-27; Kol. 1:17-18; 1 Pjetrit 2:9).

13 Mbetja dhe Misioni i Saj

Kisha universale përbëhet nga të gjithë ata që besojnë vërtet në Krishtin, por në ditët e fundit, një kohë apostazie e përhapur, një mbetje është thirrur për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit. Kjo mbetje njofton ardhjen e orës së gjykimit, shpall shpëtimin nëpërmjet Krishtit dhe lajmëron afrimin e ardhjes së Tij të dytë. Kjo shpallje simbolizohet nga tre engjëjt e Zbulesës 14. Ajo përkon me punën e gjykimit në qiell dhe rezulton në një vepër pendimi dhe reformimi në tokë. Çdo besimtar është thirrur të ketë një pjesë personale në këtë dëshmi mbarëbotërore. (Dan. 7:9-14; Isa. 1:9; 11:11; Jer. 23:3; Mik. 2:12; 2 Kor. 5:10; 1 Pjetrit 1:16-19; 4:17; 2 Pjetrit 3:10-14; Juda 3, 14; Zbulesa 12:17; 14:6-12; 18:1-4).

14 Uniteti në trupin e Krishtit

Kisha është një trup i vetëm me shumë anëtarë, i thirrur nga çdo komb, fis, gjuhë dhe popull. Në Krishtin ne jemi një krijesë e re. Dallimet e racës, kulturës, mësimit dhe kombësisë, dhe dallimet ndërmjet të lartëve dhe të ulëtve, të pasurve dhe të varfërve, mashkullit dhe femrës nuk duhet të jenë përçarëse mes nesh. Ne jemi të gjithë të barabartë në Krishtin i cili me një Frymë të vetëm na ka lidhur në një shoqëri me Të dhe me njëri-tjetrin. Ne duhet të shërbejmë dhe të shërbehemi pa anësi apo rezervë. Nëpërmjet zbulesës së Jezus Krishtit në Shkrimet e Shenjta, ne ndajmë të njëjtin besim dhe shpresë dhe u drejtohemi të gjithëve në një dëshmi të vetme. Ky unitet e ka burimin në unitetin e Zotit trini, i cili na ka adoptuar si fëmijët e Tij. (Ps. 133:1; Mat. 28:19-20; Gjoni 17:20-23; Veprat 17:26-27; Rom. 12:4-5; 1 Kor. 12:12-14; 2 Kor. 5 :16-17; Gal.3:27-29; Efesianëve 2:13-16; 4:3-6, 11-16; Kol. 3:10-15).

15 Pagëzimi

Me anë të pagëzimit ne rrëfejmë besimin tonë në vdekjen dhe ringjalljen e Jezus Krishtit dhe dëshmojmë për vdekjen tonë në mëkat dhe për qëllimin tonë për të ecur në risinë e jetës. Kështu ne e pranojmë Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar, bëhemi populli i Tij dhe pranohemi si anëtarë nga kisha e Tij. Pagëzimi është një simbol i bashkimit tonë me Krishtin, faljes së mëkateve tona dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi realizohet me anë të zhytjes në ujë dhe ka si kusht pohimin e besimit në Jezusin dhe dëshminë e pendimit për mëkatin. Pagëzimi ndjek udhëzimet në Shkrimet e Shenjta dhe pranimin e mësimeve të tyre.
(Mat. 28:19-20; Veprat 2:38; 16:30-33; 22:16; Rom. 6:1-6; Gal. 3:27; Kol. 2:12-13).

16 Darka e Zotit

Darka e Zotit është një pjesëmarrje në simbolet e trupit dhe gjakut të Jezusit si shprehje e besimit në Të, Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. Në këtë përvojë kungimi, Krishti është i pranishëm për të takuar dhe forcuar popullin e Tij. Ndërsa marrim pjesë në këtë ceremoni, ne shpallim me gëzim vdekjen e Zotit derisa Ai të vijë përsëri. Përgatitja për Darkën përfshin vetëkontroll, pendim dhe rrëfim. Mjeshtri shuguroi shërbimin e larjes së këmbëve për të nënkuptuar pastrimin e rinovuar, për të shprehur një gatishmëri për t'i shërbyer njëri-tjetrit me përulësi ashtu si Krishti dhe për të bashkuar zemrat tona në dashuri. Shërbimi i kungimit është i hapur për të gjithë të krishterët besimtarë. (Mat. 26:17-30; Gjoni 6:48-63; 13:1-17; 1 Kor. 10:16, 17; 11:23- 30; Zbul. 3:20).

17 Dhuratat dhe shërbesat shpirtërore

Perëndia u dhuron të gjithë anëtarëve të kishës së Tij në çdo epokë dhurata shpirtërore që secili anëtar duhet t'i përdorë në shërbim me dashuri për të mirën e përbashkët të kishës dhe njerëzimit. Të dhëna nga Fryma e Shenjtë, që i ndan secilit anëtar sipas dëshirës së Tij, dhuratat ofrojnë të gjitha aftësitë dhe shërbesat që i nevojiten kishës për të përmbushur funksionet e saj të paracaktuara në mënyrë hyjnore. Sipas Shkrimeve, këto dhurata përfshijnë shërbime të tilla si besimi, shërimi, profecia, shpallja, mësimi, administrimi, pajtimi, dhembshuria dhe shërbimi vetëmohues si dhe bamirësia për ndihmën dhe inkurajimin e njerëzve. Disa anëtarë janë thirrur nga Perëndia dhe janë pajisur nga Fryma për funksionet e njohura nga kisha në shërbesat pastorale, ungjillore dhe mësimore, veçanërisht të nevojshme për të pajisur anëtarët për shërbim, për të ndërtuar kishën deri në pjekurinë shpirtërore dhe për të nxitur unitetin e besimit dhe njohjen e Zotit. Kur anëtarët përdorin këto dhurata shpirtërore si kujdestarë besnikë të hirit të larmishëm të Perëndisë, kisha mbrohet nga ndikimi shkatërrues i doktrinës së rreme, rritet me një rritje që vjen nga Perëndia dhe ndërtohet me besim dhe dashuri. (Veprat 6:1-7; Rom. 12:4-8; 1 Kor. 12:7-11, 27-28; Efes. 4:8, 11-16; 1 Tim. 3:1-13; 1 Pjetrit 4:10-11).

18 Dhurata e profecisë

Shkrimet dëshmojnë se një nga dhuratat e Frymës së Shenjtë është profecia. Kjo dhuratë është një shenjë identifikuese e kishës së mbetur dhe ne besojmë se ajo u shfaq në shërbimin e Ellen G. White. Shkrimet e saj flasin me autoritet profetik dhe ofrojnë ngushëllim, drejtim, udhëzim dhe korrigjim për kishën. Gjithashtu, ajo e bën të qartë se Bibla është standardi me të cilin duhet të testohen të gjitha mësimet dhe përvojat.

(Num. 12:6; 2 Kron. 20:20; Amosi 3:7; Joeli 2:28-29; Veprat 2:14-21; 2 Tim. 3:16-17; Hebr. 1:1-3; Zbul. 12:17; 19:10; 22:8-9).

19 Ligji i Perëndisë

Parimet e mëdha të ligjit të Perëndisë janë të mishëruara në Dhjetë Urdhërimet dhe të ilustruara në jetën e Krishtit. Ato shprehin dashurinë, vullnetin dhe qëllimet e Perëndisë në lidhje me sjelljen dhe marrëdhëniet njerëzore dhe janë të detyrueshme për të gjithë njerëzit në çdo epokë. Këto parime janë baza e besëlidhjes së Perëndisë me popullin e Tij dhe standardi në gjykimin e Perëndisë. Nëpërmjet shërbimit të Frymës së Shenjtë, ato vënë në dukje mëkatin dhe zgjojnë ndjenjën e nevojës për një Shpëtimtar. Shpëtimi realizohet me anë të hirit dhe jo me anë të veprave dhe fryti i tij është bindja ndaj Urdhërimeve. Kjo bindje zhvillon karakterin e krishterë dhe rezulton në një ndjenjë mirëqenieje. Ajo është dëshmi e dashurisë sonë për Zotin dhe e shqetësimit tonë për qeniet njerëzore. Bindja e besimit tregon fuqinë e Krishtit për të transformuar jetët, dhe për këtë arsye forcon dëshminë e krishterë. (Eksod. 20:1-17; Ligji i Përtërirë 28:1-14; Ps. 19:7, 14; 40:7-8; Mat. 5:17-20; 22:36- 40; Gjoni 14:15; 15:7-10; Rom. 8:3-4; Efes. 2:8-10; Hebr. 8:8-10; 1 Gjonit 2:3; 5:3; Zbul. 12:17; 14:12).

20 Sabati

Krijuesi i hirshëm, pas gjashtë ditëve të Krijimit, pushoi në ditën e shtatë dhe krijoi Shabatin për të gjithë njerëzit si përkujtim të Krijimit. Urdhërimi i katërt i ligjit të pandryshueshëm të Perëndisë kërkon respektimin e Shabatit, të ditës së shtatë, si ditë pushimi, adhurimi dhe shërbimi në harmoni me mësimet dhe praktikën e Jezusit, Zotit të Shabatit. E shtuna është një ditë e bashkimit të këndshëm me Perëndinë dhe njëri- tjetrin. Është një simbol i shëlbimit tonë në Krishtin, një shenjë e shenjtërimit tonë, një shenjë e besnikërisë sonë dhe një parashijim i së ardhmes sonë të përjetshme në mbretërinë e Perëndisë. Shabati është shenja e përhershme e Perëndisë për besëlidhjen e Tij të përjetshme midis Tij dhe popullit të Tij. Respektimi i gëzueshëm i kësaj kohe të shenjtë nga mbrëmja në mbrëmje, nga perëndimi në perëndim të diellit, është një festë e veprimeve krijuese dhe shëlbuese të Perëndisë. (Zan. 2:1-3; Eksodi 20:8-11; 31:13-17; Lev. 23:32; Ligj. 5:12-15; Isa. 56:5-6; 58:13-14 ; Ezek. 20:12, 20; Mat. 12:1-12; Marku 1:32; Luka 4:16; Hebr. 4:1-11).

21 Kujdestaria

Ne jemi kujdestarët e Perëndisë i cili na ka besuar kohën dhe mundësitë, aftësitë dhe zotërimet, si dhe bekimet e tokës dhe burimet e saj. Ne jemi përgjegjës para Tij për përdorimin e duhur të tyre. Ne e pranojmë pronësinë e Perëndisë me anë të shërbimit besnik ndaj Tij dhe njerëzve të tjerë, duke kthyer të dhjetën dhe duke dhënë oferta për shpalljen e ungjillit të Tij, dhe duke mbështetur rritjen e kishës së Tij. Kujdestaria është një privilegj që na është dhënë nga Perëndia për t'u ushqyer në dashuri dhe për të fituar mbi egoizmin dhe lakminë. Kujdestarët gëzohen për bekimet që u vijnë të tjerëve si rezultat i besnikërisë së tyre. (Zan. 1:26-28; 2:15; 1 Kron. 29:14; Hagai 1:3-11; Mal. 3:8-12; Mat. 23:23; Rom. 15:26-27; 1 Kor. 9:9-14; 2 Kor. 8:1-15; 9:7).

22 Sjellja e krishterë

Ne jemi thirrur për të qënë një popull i perëndishëm që mendon, ndjen dhe vepron në harmoni me parimet biblike në të gjitha aspektet e jetës personale dhe shoqërore. Në mënyrë që Fryma të rikrijojë tek ne karakterin e Zotit tonë, duhet të përfshihemi vetëm në ato gjëra që prodhojnë në jetën tonë pastërti, shëndet dhe gëzim si të Krishtit. Kjo do të thotë që mënyra sesi zbavitemi dhe argëtohemi duhet të përmbushë standardet më të larta të shijes dhe bukurisë së krishterë. Ndërsa njohim dallimet kulturore, veshja jonë duhet të jetë e thjeshtë, modeste dhe e rregullt, duke besuar se bukuria e vërtetë nuk përbëhet nga zbukurimi i jashtëm, por nga zbukurimi i pavdekshëm i një shpirti të butë dhe të qetë. Duke qënë se trupat tanë janë tempujt e Frymës së Shenjtë, ne duhet të kujdesemi për ta në mënyrë inteligjente. Së bashku me stërvitjen dhe pushimin adekuat, ne duhet të adoptojmë dietën më të shëndetshme të mundshme dhe të përmbahemi nga ushqimet e papastra të identifikuara në Shkrime. Meqenëse pijet alkoolike, duhani dhe përdorimi i papërgjegjshëm i drogave dhe narkotikëve janë të dëmshëm për trupin tonë, nuk duhet t’i përdorim. Në të kundërt, ne duhet të përfshihemi në çdo gjë që i sjell mendimet dhe trupat tanë në disiplinën e Krishtit, i cili dëshiron mirëqënien, gëzimin dhe mirësinë tonë. (Zan. 7:2; Eksodi 20:15; Lev. 11:1-47; Ps. 106:3; Rom. 12:1-2; 1 Kor. 6:19-20; 10:31; 2 Kor. 6:14-7:1; 10:5; Efesianëve 5:1-21; Fil. 2:4; 4:8; 1 Tim. 2:9-10; Titit 2:11, 12; 1 Pjetrit 3 :1-4; 1 Gjonit 2:6; 3 Gjonit 2).

23 Martesa dhe Familja

Martesa u themelua në mënyrë hyjnore në Eden dhe u konsiderua nga Jezusi si një bashkim i përjetshëm midis një burri dhe një gruaje në një marrëdhënie dashurie. Për të krishterin, martesa është një angazhim si ndaj Zotit ashtu edhe ndaj bashkëshortit, dhe duhet të krijohet vetëm midis një burri dhe një gruaje që ndajnë të njëjtin besim. Dashuria e ndërsjellë, nderi, respekti dhe përgjegjësia janë struktura e kësaj marrëdhënieje, e cila duhet të pasqyrojë dashurinë, shenjtërinë, afërsinë dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënies midis Krishtit dhe kishës së Tij. Lidhur me divorcin, Jezusi mësoi se personi që divorcohet nga partneri dhe martohet me një tjetër kryen tradhti bashkëshortore, me përjashtim të rastit të kurvërisë. Edhe pse disa marrëdhënie familjare mund të mos arrijnë idealin, një burrë dhe një grua që i përkushtohen plotësisht njëri-tjetrit në Krishtin nëpërmjet martesës, mund të arrijnë unitet dashurie nëpërmjet drejtimit të Frymës së Shenjtë dhe edukimit të kishës. Zoti e bekon familjen dhe synon që anëtarët e saj të ndihmojnë njëri-tjetrin drejt pjekurisë së plotë. Rritja e afërsisë familjare është një nga pikat e synuara të mesazhit përfundimtar të ungjillit. Prindërit duhet t'i edukojnë fëmijët e tyre që ta duan dhe t'i binden Zotit. Me shembullin dhe fjalët e tyre prindërit duhet t'u mësojnë fëmijëve se Krishti është një udhërrëfyes i dashur, i dhembshur dhe i kujdesshëm, i cili dëshiron që ata të bëhen anëtarë të trupit të Tij, të familjes së Perëndisë që përfshin si personat beqarë, ashtu edhe të martuarit.
(Zan. 2:18-25; Eksodi 20:12; Përgj. 6:5-9; Prov. 22:6; Mal. 4:5-6; Mat. 5:31-32; 19:3- 9, 12; Marku 10:11-12; Gjoni 2:1-11; 1 Kor. 7:7, 10-11; 2 Kor. 6:14; Efes. 5:21-33; 6:1-4).

24 Shërbesa e Krishtit në Shenjtëroren Qiellore

Ka një shenjtërore në qiell, tabernakulli i vërtetë i ngritur nga Perëndia dhe jo nga njerëzit. Në të, Krishti shërben për ne, duke vënë në dispozicion të besimtarëve përfitimet e sakrificës së Tij shlyese të ofruar një herë e për të gjithë në kryq. Në ngjitjen e Tij, Ai u përurua si Kryeprifti ynë i madh dhe filloi shërbesën e Tij ndërmjetësuese, e cila u materializua nga puna e kryepriftit në vendin e shenjtë të shenjtërores tokësore. Në vitin 1844, në fund të periudhës profetike prej 2300 ditësh, Ai hyri në fazën e dytë dhe të fundit të shërbesës së Tij shlyese, e cila u materializua nga puna e kryepriftit në vendin më të shenjtë të shenjtërores tokësore. Është një vepër e gjykimit hetues që është pjesë e disponimit përfundimtar të të gjithë mëkatit, e karakterizuar nga pastrimi i shenjtërores së lashtë hebraike në Ditën e Shlyerjes. Në atë shërbim tipik, shenjtërorja u pastrua me gjakun e flijimeve të kafshëve, por gjërat qiellore pastroheshin me flijimin e përsosur të gjakut të Jezusit. Gjykimi investigativ u zbulon inteligjencave qiellore se cilët nga të vdekurit janë në gjumë në Krishtin dhe prandaj, në Të, vlerësohen të denjë për të marrë pjesë në ringjalljen e parë. Gjithashtu tregon se cilët nga të gjallët qëndrojnë në Krishtin, duke mbajtur urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit, dhe në Të, pra, janë gati për t'u transferuar në mbretërinë e Tij të përjetshme. Ky gjykim përligj drejtësinë e Perëndisë në shpëtimin e atyre që besojnë në Jezusin. Ai shpall se ata që i kanë qëndruar besnikë Perëndisë do të marrin mbretërinë. Përfundimi i kësaj shërbese të Krishtit do të shënojë mbylljen e provës njerëzore përpara Ardhjes së Dytë.

 (Lev. 16; Num. 14:34; Ezek. 4:6; Dan. 7:9-27; 8:13-14; 9:24-27; Hebr. 1:3; 2:16-17; 4 :14-16; 8:1-5; 9:11-28; 10:19-22; Zbul. 8:3-5; 11:19; 14:6-7; 20:12; 14:12; 22 :11-12).

25 Ardhja e Dytë e Krishtit

Ardhja e dytë e Krishtit është shpresa e bekuar e kishës, kulmi madhështor i ungjillit. Ardhja e Shpëtimtarit do të jetë e drejtpërdrejtë, personale, e dukshme dhe mbarëbotërore. Kur Ai të kthehet, të vdekurit e drejtë do të ringjallen dhe së bashku me të gjallët e drejtë do të lavdërohen dhe do të çohen në parajsë, por të padrejtët do të vdesin. Përmbushja pothuajse e plotë e rreshtave të profecisë, së bashku me gjendjen aktuale të botës, tregon se ardhja e Krishtit është afër. Koha e asaj ngjarjeje nuk është zbuluar prandaj na këshillohet që të jemi gati në çdo kohë. (Mat. 24; Marku 13; Lluka 21; Gjoni 14:1-3; Veprat 1:9-11; 1 Kor. 15:51-54; 1 Thesalonikasve 4:13-18; 5:1-6; 2 Thes. 1:7-10; 2:8; 2 Tim. 3:1-5; Titit 2:13; Hebr. 9:28; Zbul. 1:7; 14:14-20; 19:11-21).

26 Vdekja dhe Ringjallja

Paga e mëkatit është vdekja. Por Perëndia, i cili vetë është i pavdekshëm, do t'u japë jetë të përjetshme të shpenguarve të Tij. Deri atë ditë, vdekja është një gjendje e pavetëdijshme për të gjithë njerëzit. Kur të shfaqet Krishti, i cili është jeta jonë, të drejtët e ringjallur dhe të drejtët e gjallë do të lavdërohen dhe do të ngrihen për të takuar Zotin e tyre. Ringjallja e dytë, ringjallja e të padrejtëve, do të ndodhë një mijë vjet më vonë. (Jobi 19:25-27; Ps. 146:3-4; Ekl. 9:5, 6, 10; Dan. 12:2, 13; Isa. 25:8; Gjoni 5:28-29; 11:11-14; Rom. 6:23; 1 Kor. 15:51-54; Kol. 3:4; 1 Thes. 4:13-17; 1 Tim. 6:15; Zbul. 20:1-10) .

27 Mijëvjeçari dhe fundi i mëkatit

Mijëvjeçari është mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit me shenjtorët e Tij në qiell midis ringjalljes së parë dhe të dytë. Gjatë kësaj kohe të vdekurit e ligj do të gjykohen, toka do të jetë krejtësisht e shkretë, pa banorë njerëz të gjallë, por e pushtuar nga Satani dhe engjëjt e tij. Në afërsi të tij, Krishti me shenjtorët e Tij dhe Qyteti i Shenjtë do të zbresin nga qielli në tokë. Të vdekurit e padrejtë atëherë do të ringjallen dhe me Satanin dhe engjëjt e tij do ta rrethojnë qytetin; por zjarri i Perëndisë do t'i përpijë dhe do të pastrojë tokën. Kështu, universi do të çlirohet përgjithmonë nga mëkati dhe mëkatarët. (Jer. 4:23-26; Ezek. 28:18-19; Mal. 4:1; 1 Kor. 6:2-3; Zbul. 20; 21:1-5).

28 Toka e Re

Në tokën e re, në të cilën banon drejtësia, Perëndia do të sigurojë një shtëpi të përjetshme për të shpenguarit dhe një mjedis të përsosur për jetën e përhershme, dashurinë, gëzimin dhe mësimin në praninë e Tij. Këtu vetë Perëndia do të banojë me popullin e Tij dhe vuajtjet dhe vdekja do të kenë kaluar. Beteja e madhe do të marrë fund dhe mëkati nuk do të egzistojë më. Të gjitha gjërat, të gjalla dhe jo të gjalla, do të deklarojnë se Perëndia është dashuri; dhe Ai do të mbretërojë përjetë. Amen. (Isa. 35; 65:17-25; Mat. 5:5; 2 Pjetrit 3:13; Zbul. 11:15; 21:1-7; 22:1-5).

bottom of page