top of page
Buscar

Besimi që rritet

  • 7 de mai.
  • 4 min de leitura

Atualizado: 23 de jun.

Si shërbesa për fëmijë në Shqipëri po frymëzojnë brezat e rinj


Në të gjithë Shqipërinë, shërbesa për fëmijët po transformon jetë dhe po formon udhëheqësit e ardhshëm të besimit, ashtu siç ndodhi me pastoren Euxhenia Bregasi dhe motrën e saj, Restiola. Edhe pse u rritën në një shtëpi ku feja nuk përkrahej, të dyja gjetën strehë në një kishë të vogël vendase, ku këngët, predikimet dhe buzëqeshjet mbollën për herë të parë farat e besimit që më vonë do të formonin misionin e jetës së tyre.


Shumë kohë përpara se të hidhte hapat drejt altarit si pastore, Euxhenia ishte një vajzë e vogël e kureshtare që ndiqte motrën e saj më të vogël, Restiola, drejt një kishe të vogël në lagje. Ato nuk u rritën në një familje të krishterë; feja nuk diskutohej dhe zakonisht pritej me dyshim ose heshtje. Por në atë kishë të vogël, e mbushur me këngë, buzëqeshje dhe tregime për Jezusin, diçka filloi të mbijë brenda tyre.


“E mbaj mend ende ditën e parë,” kujton Euxhenia. “Përqafimet dhe gëzimi ishte diçka e jashtëzakonshme. Nuk kishim ndier kurrë më parë një mirëseardhje të tillë.” Ajo që nisi si një kuriozitet i pafajshëm u kthye në përkushtim. Shkolla e Sabatit u bë klasa e tyre shpirtërore. “Ishte vendi i parë ku mësova të lutesha, ku mbajta një Bibël në duar dhe ndjeva paqe,” shtoi ajo.


Restiola kujton një program për fëmijë gjatë Krishtlindjeve që i la mbresa të thella. “Nuk mund ta hiqja atë ndjesi nga mendja. Aty përjetova një atmosferë të ngrohtë, të dashur dhe paqësore që nuk e kisha ndjerë askund tjetër me njerëz që as nuk i njihja.”


Edhe pse rruga nuk ishte e lehtë, veçanërisht në një familje që e refuzonte fenë, kisha u bë strehë. Vullnetarët, mësuesit dhe anëtarët e tjerë qëndruan pranë tyre, u lutën për to dhe u dhanë shembullin e dashurisë së Krishtit. Me lutje, ato ia dolën. Në fshehtësi, studionin. Derisa morën një vendim që do t’u ndryshonte jetën: pagëzimi.



Motrat Bregasi u pagëzuan në kampin e parë të Rrugëzbuluesve të Misionit Shqiptar
Motrat Bregasi u pagëzuan në kampin e parë të Rrugëzbuluesve të Misionit Shqiptar

Pastori i atëhershëm, Sérgio Borges, dhe gruaja e tij, Adriana Borges, i ndoqën nga afër gjatë rrugëtimit të tyre. “Pavarësisht vështirësive për të marrë miratimin nga familja, ato qëndruan të palëkundura. Babai i tyre në fund dha pëlqimin dhe ato u pagëzuan në kampin e parë Pathfinder të Misionit Shqiptar,” kujton Borges. “Që prej atëherë, Zoti ka nderuar besimin e tyre dhe jemi shumë krenarë për atë që janë bërë.”


Sot, vite më vonë, Euxhenia është pastore dhe të dyja motrat shërbejnë aktivisht në Kishën Adventiste. “Gjithçka nisi me një program për fëmijë,” thonë ato.


Dhe historia e tyre nuk është e vetmja.


Farat që po mbillen sot në Shqipëri 


Në të gjithë vendin, kishat lokale po e shfrytëzojnë fuqinë e shërbimit për fëmijë për të mbjellë shpresë, njësoj si për motrat Bregasi.


Në Kishën qëndrore të Tiranës, fëmijët mezi presin kampin veror që organizohet çdo vit në bashkëpunim me ADRA Shqipëri. Duke hyrë në vitin e tretë, kjo nismë “nuk ofron vetëm lojëra dhe punëdore, por një hapësirë ku fëmijët rriten shoqërisht dhe emocionalisht,” shpjegon Delmar Reis, presidenti i Misionit Shqiptar. “Vullnetarë nga Shqipëria dhe jashtë vendit japin dashurinë e tyre në çdo detaj.”


Në Elbasan, qyteti i katërt më i madh në Shqipëri, dyert e kishës hapen çdo javë për fëmijë, shumë prej të cilëve vijnë nga familje jo të krishtera. Përmes tregimeve biblike, këngëve, lojërave dhe krijimtarisë, këta të vegjël takojnë Jezusin në mënyra që flasin gjuhën e tyre. “Takimet nuk janë thjesht programe; ato janë mundësi për transformim,” thotë Euxhenia, e cila aktualisht shërben në Elbasan.


Në zonën malore të Korçës, mëngjeset e së dielës janë të mbushura me të qeshura dhe muzikë. “Prej më shumë se dy vitesh, fëmijët mblidhen për tregime biblike, lojëra dhe programe krijuese si MasterChef, ku mësojnë për ushqimin e shëndetshëm në mënyrë argëtuese,” shpjegon pastori lokal Adriel Henke. “Gjatë Krishtlindjeve, më shumë se 200 fëmijë marrin dhurata, një veprim që pasqyron dashurinë e Zotit.”


Gjatë dy viteve të fundit, fëmijët nga Korça janë mbledhur të dielave në mëngjes për të shijuar seanca pikture, tregime biblike, dhe madje edhe një eksperiencë ‘MasterChef’
Gjatë dy viteve të fundit, fëmijët nga Korça janë mbledhur të dielave në mëngjes për të shijuar seanca pikture, tregime biblike, dhe madje edhe një eksperiencë ‘MasterChef’

Edhe në fshatin e Dishnicës, fëmijët, kryesisht nga familje myslimane, mblidhen çdo javë për të njëjtën përvojë të gëzueshme: tregime biblike, këngë dhe lojëra.


Natieli Schaffer, drejtoresha e Shërbesës për Fëmijë në Misionin Shqiptar, komenton për këto programe: “Të gjitha këto nisma, të mëdha apo të vogla, kanë një qëllim të përbashkët: t’u ndihmojnë fëmijëve të takojnë Jezusin. Jo vetëm me fjalë, por me vepra. Jo vetëm një herë, por vazhdimisht.”


E bindur se mjafton një farë, Schaffer përfundon: “Nëse ndonjëherë pyesni veten nëse bën ndonjë ndryshim, mendoni rreth Restiolës dhe Euxhenias.”


Përkthyer: Vefiola Shaka

Fotot: Kortezi e Misionit Shqiptar

Foto kryesore: Shërbimi për Fëmijë në Kishën Qendrore të Tiranës

Teksti origjinal i postuar në: https://ted.adventist.org/news/faith-that-grows/


Kampi Veror Qendror i Tiranës


Program në Kishën e Elbasanit


Program në Kishën e Korçës


Program në Dishnicë

 
 
 

Comments


Misioni Shqiptar i
Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë

+355 68 533 4189
 

Rruga Nikolla Nishku Vila 70, Tirana-Albania
 

E hënë - E enjte | 9:30am - 4:30pm

E premte | 9:30am - 12:30pm

office@adventist.al

Subscribe to the newsletter

Faleminderit!

bottom of page