Të rinjtë shqiptarë përqafojnë besimin dhe shëndetin përmes dishepullimit në natyrë
- Sarah Henke

- 14 de out.
- 3 min de leitura
Natyra u bë klasa për rritje shpirtërore dhe lidhje njerëzore
Në gusht dhe shtator 2025, Departamentet e të Rinjve dhe të Shëndetit të Misionit Shqiptar (AM) bashkuan të rinj nga i gjithë vendi në dy aktivitete ndërkombëtare të krijuara për të ushqyer besimin, shëndetin dhe ndjenjën e komunitetit. Kampi i të rinjve u zhvillua nga 3 deri më 10 gusht në ishullin kroat Fratarski, i pasuar nga një ditë ecjeje më 7 shtator në Liqenatin e maleve të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë. Të dyja momentet patën si synim të ndihmonin pjesëmarrësit të përjetonin dishepullimin në lëvizje, duke i inkurajuar të gjejnë kuptim dhe lidhje përtej mureve të kishës.

Në Kampin e Fratarskit, i organizuar nga Konferenca e Unionit të Adriatikut (AUC), pjesëmarrës nga Shqipëria iu bashkuan të rinjve nga vendet fqinje nën temën “Je thirrur për më shumë”. Pa sinjal telefoni dhe të rrethuar nga pyjet e deti, mjedisi krijoi hapësirë për reflektim të qetë, ndërtim komuniteti dhe rigjallërim të besimit.
“Kalimi i atyre ditëve në ishull, plotësisht në kontakt me natyrën, u dha të rinjve tanë një mundësi unike për t’u shkëputur nga shpërqendrimet dhe për t’u lidhur me Zotin,” tha pastori Adriel Henke, drejtor i Departamentit të të Rinjve të Misionit Shqiptar.
Programi inkurajoi pjesëmarrësit të përqafojnë disipullimin si një mënyrë jetese gjithëpërfshirëse, jo vetëm në praktikat shpirtërore, por edhe në mënyrën se si pushojnë, ndërveprojnë dhe argëtohen.

Pak javë më vonë, të rinjtë shqiptarë u ribashkuan në Kosovë për të ecur në shtigjet malore të Liqenatit, të njohura për liqenet akullnajore dhe pamjet mahnitëse. Teksa grupi ngjitej, përpjekja fizike u shndërrua në një hapësirë për reflektim dhe rigjallërim shpirtëror.
“Ecja aktivizon muskujt, forcon zemrën dhe mushkëritë, pastron mendjen dhe na mbush me energji,” tha Irilda Braho, drejtoreshë e Departamentit të Shëndetit të Misionit Shqiptar. “Por përveç kësaj, ajo sjell edhe gëzim shpirtëror, sepse në bukurinë e natyrës ne gjejmë gjurmët e Krijuesit tonë.”
Braho shtoi se aktiviteti fizik mund të jetë një formë adhurimi, duke kujtuar shembullin e Jezusit që lutej në male. “Kur ecim në male, kujtojmë se ky është gjithashtu një vend lutjeje dhe takimi me Zotin. Vetë Jezusi shkoi në mal për t’u lutur. Aty gjeti qetësi dhe forcë. Dhe në të njëjtën mënyrë, edhe ne mund të gjejmë rinovim.”
Për shumë pjesëmarrës, përvoja la një përshtypje të thellë. “Aktivitete si ky na ndihmojnë të rilidhemi me natyrën dhe të hapim mendjen ndaj vendeve e ideve të reja,” tha Elda Vladi, një nga të rinjtë pjesëmarrës. “Momenti im i preferuar ishte noti në një liqen akullnajor 1,800 metra mbi nivelin e detit, diçka që nuk e kisha bërë kurrë më parë. Ishte sikur të prekje qiellin.”
Të dyja nismat pasqyrojnë përkushtimin e Misionit Shqiptar ndaj programeve për të rinjtë që mbështesin mirëqenien shpirtërore, fizike dhe mendore. Udhëheqësit shpresojnë që ndikimi i këtyre aktiviteteve në natyrë të vazhdojë të inkurajojë një mënyrë jetese aktive, të balancuar dhe të rrënjosur në besim.
“Në natyrë mund të jemi plotësisht të sigurt për praninë dhe madhështinë e Zotit,” tha Henke. “Është një vend ku mund të mësojmë dhe të mësohemi me Të.”
Organizatorët theksuan se të dyja nismat i inkurajuan të rinjtë të përjetojnë disipullimin përmes një jete aktive dhe kohës së kaluar në natyrë. Ata besojnë se mësimet e fituara, në ishull dhe në male, do të vazhdojnë të frymëzojnë një mënyrë jetese të ekuilibruar, shërbimi dhe besimi.

Përkthyer: Vefiola Shaka
Fotot: Kortezi e Misionit Shqiptar
Teksti origjinal i postuar në: https://ted.adventist.org/news/albanian-youth-embrace-faith-and-fitness-through-outdoor-discipleship/




Comentários