top of page
Buscar

Të rinjtë, gratë dhe burrat eksplorojnë identitetin e tyre në Krishtin

Foto do escritor: Sarah Henke
Sarah Henke
18 de nov. de 2025
3 min de leitura

Tre kampe kombëtare në Shqipëri bashkuan anëtarët gjatë dy fundjavave.


Tre kampe të mëdha të organizuara në Shqipëri gjatë muajit tetor bashkuan të rinj, gra dhe burra në aktivitete paralelisht që eksploronin identitetin, qëllimin dhe rritjen shpirtërore. Të organizuara nga Misioni Shqiptar (AM), secili aktivitet u zhvillua në një vend të ndryshëm dhe mblodhi pjesëmarrës nga grupe të ndryshme, por të tre kishin të përbashkët theksin mbi kuptimin e identitetit tonë në Krishtin dhe mënyrën se si ai ndikon në zgjedhjet, marrëdhëniet dhe misionin tonë.


Të rinjtë mblidhen në Tiranë për t’u bërë “Story + Tellers”


Blloqet e shënimeve dhe stilolapsat “Story + Teller” iu dhanë të rinjve për t’i ndihmuar të reflektonin mbi atë që mësuan gjatë gjithë fundjavës.
Blloqet e shënimeve dhe stilolapsat “Story + Teller” iu dhanë të rinjve për t’i ndihmuar të reflektonin mbi atë që mësuan gjatë gjithë fundjavës.

Në kampin e të rinjve, të mbajtur në Tiranë nga 18 deri më 19 tetor, morën pjesë të rinj nga kisha të ndryshme në të gjithë vendin për një fundjavë dishepullimi dhe bashkësie. I organizuar nga Pastori Adriel Henke, Drejtor i Shërbesës së të Rinjve, aktiviteti kishte si temë “Story + Teller”, duke inkurajuar pjesëmarrësit të kuptonin narrativën e madhe biblike dhe të gjenin vendin e tyre brenda saj.


Henke shpjegoi se kampe të tilla u japin të rinjve një mundësi të rëndësishme për t’u përqendruar te vetja dhe te Jezusi, duke i ndihmuar të rriten shpirtërisht dhe të përgatiten për të ndarë ungjillin në kontekstet e tyre. Programi përfshinte adhurim, grupe të vogla, mësime dhe aktivitete shoqërore që synonin forcimin e marrëdhënieve dhe krijimin e një hapësire mbështetëse për rritje.


Një nga pjesëmarrëset, Restiola Bregasi, e përshkroi kampin si “një fundjavë e mrekullueshme e mbushur me adhurim, të qeshura dhe biseda kuptimplota”, duke shtuar se grupi u largua “i frymëzuar dhe i gatshëm për ta jetuar besimin me pasion të ri”.


Konferenca e grave në Krujë thekson “Identitetin e Zotit në mua”


Gratë pjesëmarrëse në konferencën në Krujë mblidhen për një foto në grup.
Gratë pjesëmarrëse në konferencën në Krujë mblidhen për një foto në grup.

Një javë më vonë, më 25–26 tetor, Departamenti i Shërbesës së Grave, i drejtuar nga Natiéli Schäffer, organizoi një konferencë dyditore në qytetin historik të Krujës. Gra nga e gjithë Shqipëria u mblodhën për reflektim, pushim dhe përtëritje shpirtërore nën temën “Identiteti i Zotit në Mua”.


Schäffer theksoi se kampe të tilla krijojnë hapësira të domosdoshme ku gratë ndihen të vlerësuara dhe të mbështetura shpirtërisht. Ajo tha se këto aktivitete ofrojnë për kishën “një strehë ku gratë ndihen të çmuara, të përkujdesura dhe të ushqyera shpirtërisht”.

Folësja e ftuar, Adriana Nunka, foli për mënyrën se si identiteti i krishterë mund të rimarrë vendin e tij në një shoqëri ku mesazhet për vetëvlerësimin shpesh janë të shtrembëruara.


Ajo inkurajoi gratë të kuptojnë se kush janë në Krishtin dhe si ky identitet mund të reflektohet në jetën e përditshme. “Duhet të kuptojmë kush jemi si gra të krishtera dhe si identiteti i Zotit në ne mund të shihet nga të tjerët në jetën tonë të përditshme,” tha ajo.


Pjesëmarrëset e përshkruan atmosferën si të hapur, të sinqertë dhe rigjeneruese. Pyetja reflektuese “Kush jam unë kur askush nuk më sheh?” i ndihmoi shumë prej tyre të shohin veten më qartë përmes syve të Zotit.


Drejtoresha e Shërbesës së Grave në Konferencën e Unionit Adriatik (AUC), Svjetlana Veble, foli për unitetin e përjetuar gjatë konferencës, duke theksuar se “pavarësisht barrierave gjuhësore, ne e kuptuam njëra-tjetrën në mënyrë të përkryer sepse ndajmë të njëjtën Frymë”.


Meshkuj nga e gjithë Shqipëria takohen në mbledhjen e parë kombëtare


Burrat ulen së bashku për të diskutuar rreth besimit, financave dhe përgjegjësisë shpirtërore.
Burrat ulen së bashku për të diskutuar rreth besimit, financave dhe përgjegjësisë shpirtërore.

Po në këtë fundjavë, më 25 tetor, AM organizoi takimin e parë kombëtar të burrave në Kishën Qëndrore Adventiste të Ditës së Shtatë në Tiranë. Burra nga pothuajse të gjitha bashkësitë në Shqipëri morën pjesë në këtë aktivitet, i cili trajtoi temën “Paraja: a është e rëndësishme?”. Seminari u drejtua nga Marinko Markek, Thesarmbajtësi i AUC dhe AM.

Markek inkurajoi pjesëmarrësit që çështjet financiare t’i trajtojnë me vetëdije shpirtërore më të madhe, duke reflektuar mbi mënyrën se si besimi i krishterë formëson qëndrimin ndaj burimeve materiale. Përmes ligjëratave dhe diskutimeve në grup, programi krijoi hapësirë për biseda të sinqerta dhe bashkësi.


Pastori Gentian Thomollari e përshkroi këtë takim si “historik”, duke shprehur mirënjohje për këtë mundësi të parë që burrat nga e gjithë Shqipëria të diskutonin së bashku për një temë kaq të rëndësishme.


Presidenti i ALM, Delmar Reis, duke reflektuar mbi tre kampet, tha se ato kanë një qëllim që shkon përtej vetë aktiviteteve. Ai theksoi se ato ofrojnë për anëtarët “një hapësirë të sigurt për t’u lidhur me veten dhe me Zotin, duke ndihmuar kishën të rritet në unitet, mision dhe qëllim”.


Përkthyer: Vefiola Shaka

Fotot: Kortezi e Misionit Shqiptar


 
 
 

Comentários


Misioni Shqiptar i
Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë

+355 68 533 4189
 

Rruga Nikolla Nishku Vila 70, Tirana-Albania
 

E hënë - E enjte | 9:30am - 4:30pm

E premte | 9:30am - 12:30pm

​

office@adventist.al

Subscribe to the newsletter

Faleminderit!

bottom of page