Kisha në Shqipëri ndërton komunitet përmes grupeve mbështetëse
- Sarah Henke

- 5 de ago.
- 3 min de leitura
Atualizado: 17 de set.
Feja takohet me mbështetjen praktike
Kisha Tirana Lindje zgjeron shërbimin e saj përmes grupeve mbështetëse që promovojnë mirëqenien emocionale, besimin dhe lidhjen, duke arritur pjesëmarrës në të gjithë Ballkanin.
Për të përballuar nevojat në rritje emocionale dhe shpirtërore të komunitetit, Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë, Tirana Lindje ka zgjeruar veprimtarinë e saj përmes një rrjeti grupesh mbështetëse. Të fokusuar në zhvillimin personal, rritjen e besimit dhe lidhje të kuptimta, këto takime janë bërë një shtesë e shërbimit të kishës.
Përmes formateve të pranishme dhe virtuale, iniciativa angazhon prindër, edukatorë, burra dhe gra, duke ofruar hapësira të sigurta për dialog, ndarje përvojash dhe inkurajim praktik.
Gjatë tre viteve të fundit, kisha ka organizuar grupe mbështetëse online dy-javore për prindër dhe mësues, duke krijuar një hapësirë ku familjet dhe edukatorët ecin së bashku në rritjen e fëmijëve me karakter dhe besim. Këto takime virtuale kanë tërhequr pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përfshirë shumë jo-adventistë që vlerësojnë ambientin e ngrohtë dhe pasurues për dialog dhe rritje.
Në prill të këtij viti, grupet u pasuruan nga prania e mysafirëve specialë. Infermierja kanadeze Jane Hetland dhe bashkëshorti i saj, psikiatri Ray Hetland, udhëhoqën një seancë të rëndësishme mbi menaxhimin e shëndetit mendor të adoleshentëve.
Pastori Marko Zeko, Drejtor i Shërbimeve Familjare për Unionin Adriatik, ofroi inkurajim mbi mirëqenien emocionale për prindërit. Në nder të Muajit të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Sanda dhe Gentian Thomollari udhëhoqën një seancë me dëshmi prekëse të shkruara nga prindërit e fëmijëve të spektrit të autizmit, duke nxitur empati, mirëkuptim dhe solidaritet brenda grupit.
Një seri e re trajnimesh, Udhëheqja jashtë takimeve, e nisur në bashkëpunim me Institutin e Kërkimit HIM, pajisi mësuesit me aftësi praktike udhëheqjeje jashtë mjediseve akademike.
Pjesëmarrësit vlerësuan ndikimin e këtyre iniciativave. “Marr pjesë me gëzim dhe gjithmonë ftoj kolegët e mi,” tha Drita Kamberi nga Kosova. “Më jep më shumë njohuri dhe motivim këtu sesa kudo tjetër,” shtoi Luljeta Roci nga Maqedonia e Veriut, duke shtuar: “Fjalët tuaja më ndihmojnë të vazhdoj në këtë profesion të kërkuar.”
Deri tani, mbi 250 mësues marrin burimet e grupit përmes email-it, dhe rreth 40 deri 50 marrin pjesë rregullisht në lidhje drejtpërsëdrejti.
Në fillim të majit, Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë Tirana Lindje zgjeroi rrjetin e saj mbështetës me nisjen e dy grupeve të reja të pranishme, një për burra dhe një për gra, të dizajnuara për të ofruar hapësira të sigurta dhe kuptimplota për reflektim shpirtëror dhe personal.
Grupi i burrave merr mësime nga jeta e figurave biblike, me fokus tek udhëheqja, integriteti dhe këmbëngulja. “Të gjithë kemi nevojë për mbështetje, mençuri dhe përgjegjësi,” tha pjesëmarrësi Manolo Lalollari. “Është mirë të mblidhemi së bashku dhe të flasim për gjërat që kanë rëndësi.”
Grupi i grave ndjek programin “Më e mira që mund të jesh”, një burim i Shërbesës së Grave që fton pjesëmarrëset në një udhëtim të vetë-zbulimit përmes ushtrimeve reflektuese dhe diskutimeve të përbashkëta. Vjollca Zesllari, anëtare e kishës prej shumë vitesh, shprehet: “Jam në këtë kishë prej 22 vitesh, dhe këto takime gjithmonë arrijnë të më surprizojnë me diçka të freskët dhe të kuptimplotë. Mezi pres për takimin e ardhshëm.”
Pastori Gentian Thomollari shton: “Aktualisht, materialet dërgohen tek 253 mësues përmes email-it, me 40 deri 50 edukatorë që marrin pjesë rregullisht në takimet Zoom dy herë në muaj. Përmes këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, Kisha Tirana Lindje vazhdon të jetë një dritë mbështetëse, duke fuqizuar familjet dhe edukuesit në misionin e tyre për të rritur fëmijë me mençuri dhe dashuri.”
Me një fokus në rritje mbi lidhjen, qëndrueshmërinë dhe besimin e përbashkët, këto grupe po bëhen një mjet jetik për transformimin e komunitetit, duke dëshmuar se edhe grupet e vogla mund të mbjellin fara ndryshimi të qëndrueshëm.
Përkthyer nga: Vefiola Shaka
Fotot: Përkatësi e Kishës Tirana Lindje
Teksti origjinal i postuar në: https://ted.adventist.org/news/church-in-albania-cultivates-community-through-support-groups/












Comentários